TRAJTIMI I UJËRAVE TË NDOTURA MBRON MJEDISIN DHE SHËNDETIN
Copyright: Umweltbundesamt
Trajtimi i duhur i ujërave të ndotura urbane është thelbësor për përmirësimin e shëndetit publik dhe mirëqenies mjedisore. Duke trajtuar në mënyrë efektive ujërat e ndotura, zvogëlohet përhapja e sëmundjeve që vijnë nga uji, duke mbrojtur burimet ujore dhe duke minimizuar rreziqet shëndetësore. Gjithashtu parandalon ndotjen e burimeve të ujit të pijshëm si dhe mbron ekosistemet ujore nga ndotësit e dëmshëm. Zbatimi i sistemeve solide të trajtimit të ujërave të ndotura është vendimtar për nxitjen e mirëqenies së komunitetit dhe arritjen e zhvillimit të qëndrueshëm.
Në rajonin e Ballkanit Perëndimor, i cili përballet me sfida të rëndësishme për mbrojtjen e mjedisit ujor nga efektet negative të shkarkimeve të ujërave të ndotura urbane dhe nga shkarkimet industriale, Direktiva e Bashkimit Evropian për Trajtimin e Ujërave të Ndotura Urbane (DTUNU) luan një rol jetik. Kjo direktivë ofron kuadrin ligjor për heqjen e ndotësve nga ujërat e ndotura urbane, duke i sjell përfitime popullsisë dhe mjedisit. E vlerësuar si një nga prioritetet brenda Agjendës së Gjelbër Evropiane, DTUNU kontribuon në njohuritë dhe qëllimet e përbashkëta të Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane.
Për të mbështetur zbatimin e DTUNU, projekti EU4Green bën bashkë aktorët e rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe ekspertët nga Agjencia Austriake e Mjedisit. Gjatë muajve qershor – korrik, statusi i zbatimit të DTUNU në rajon u diskutua në seminaret e mbajtura në çdo ekonomi të Ballkanit Perëndimor. Duke i dhënë zë sfidave e përbashkëta dhe duke shkëmbyer praktikat më të mira, EU4Green synon të orientojë autoritetet e Ballkanit Perëndimor drejt miratimit dhe zbatimin e plotë të DTUNU, duke parandaluar kështu ndotjen e ujit, duke mbrojtur shëndetin e njerëzve dhe duke përmirësuar mjedisin.
HAP PAS HAPI DREJT TRAJTIMIT EFEKTIV TË TRAJTIMIT TË UJËRAVE TË NDOTURA
Fokusi kryesor i seminareve ishte mbështetja e vendeve të “WB6” në krijimin e strategjive efektive për menaxhimin e llumit të ujërave të ndotura dhe orientimin drejt mekanizmave periodik të raportimit. Prandaj, krijimi i programeve gjithëpërfshirëse të monitorimit për shkarkimet e ujërave të ndotura u diskutua me përfaqësues kombëtarë të sektorëve të shëndetësisë dhe ujit. Kjo jo vetëm që përfshin aspekte praktike të procedurave rutinë të monitorimit dhe përcaktimit të parametrave, por gjithashtu thekson domosdoshmërinë e menaxhimit të të dhënave dhe proceseve raportuese.
Në nivel rajonal, ekziston nevoja për të rritur numrin e lidhjeve me sistemet e grumbullimit dhe me impiantet e trajtimit të ujërave të ndotura. Seminaret (punëtoritë) shënojnë hapin e parë të EU4Green për të fuqizuar përfituesit në rajon të zhvillojnë veprime të cilat do të përshpejtojnë krijimin dhe zhvillimin e këtyre infrastrukturave kritike.
KTHIMI I SFIDAVE NË MUNDËSI
Agjenda e Gjelbër është një plan gjithëpërfshirës që synon të arrijë qëndrueshmërinë mjedisore dhe transformimin socio-ekonomik. Ajo përfshin tranzicionin drejt një ekonomie me karbon të ulët, promovimin e energjisë së rinovueshme, bujqësisë së qëndrueshme dhe ruajtjes së biodiversitetit. Barazia sociale, gjithëpërfshirja dhe modelet e konsumit të qëndrueshëm theksohen gjithashtu për të ndërtuar një të ardhme të qëndrueshme dhe të barabartë për të gjithë.
Projekti EU4Green mbështet Ballkanin Perëndimor në tranzicionin e tij drejt ekonomive moderne, efikase në burime dhe konkurruese. Financuar nga Bashkimi Evropian dhe qeveria Austriake, projekti mbështet Shqipërinë, Bosnjë dhe Hercegovinën, Kosovën*, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë drejt një ekonomie të gjelbër, në konsultim me qeveritë, institucionet dhe delegacionet e BE-së në Ballkanin Perëndimor, duke punuar për një të ardhme të qëndrueshme dhe të begatë për Rajonin.