Mbikëqyrja dhe përshtatja ndaj ndryshimeve klimatike në bujqësi
Copyright: Irida Haxhi
Workshopi i EU4Green mbi treguesit Agro-Ambiental dhe përdorimin e qëndrueshëm të ujit në bujqësi më 20 dhe 21 shtator në Tiranë.
Praktikat bujqësore kanë efekte të drejtpërdrejta dhe të tërthorta mbi tokën, klimën, ajrin, biodiversitetin dhe ujin. Plani i Veprimit për Implementimin e Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor thekson, ndër të tjera, nevojën për të vendosur bazat që ilustrojnë marrëdhëniet midis bujqësisë dhe mjedisit mbi të dhëna të qendrueshme.
Mbikëqyrja përmes treguesve Agro-Ambiental ndihmon në përcaktimin e progresit dhe zhvillimit të politikave në këtë shtyllë të Agjendës së Gjelbër. EU4Green thekson rëndësinë e Treguesve Agro-Ambiental (AEI) dhe mbështet përfituesit duke kërkuar mënyra për të plotësuar boshllëqet e të dhënave, zhvillimin e përmirësimeve metodologjike, treguesve të ndërmjetëm si dhe forcimin e rrjeteve dhe ndërtimin e kapaciteteve institucionale për të përmirësuar situatën e të dhënave.
Në Workshopin e EU4Green në Tiranë, përfaqësuesit nga Ministritë e Bujqësisë të Ballkanit Perëndimor dhe institucione të tjera bujqësore dhe ambientale u mblodhën së bashku për të diskutuar zhvillimet dhe përmirësimet e mundshme dhe të nevojshme të AEI, për të ndjekur më mirë progresin dhe përpjekjet e implementimit të Agjendës së Gjelbër, por edhe për t’u shërbyer qëllimeve të tjera politike agro-ambientale, si vlerësimi i programeve të zhvillimit rural (programet IPARD) në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Masat e përdorimit dhe ruajtjes së qëndrueshme të ujit
Një temë tjetër kyçe e EU4Green dhe workshopit në Tiranë është përshtatja ndaj ndryshimeve klimatike në bujqësi. Ndryshimet klimatike paraqesin rreziqe të mëdha për bujqësinë, përfshirë ndryshimet e paparashikueshme të motit, shtimin e dëmtuesve dhe sëmundjeve, dhe ndryshimin e disponueshmërisë së ujit. Përshtatja ndaj këtyre sfidave nuk është vetëm e dobishme, por edhe thelbësore për mbijetesën dhe qëndrueshmërinë e bujqësisë në rajon. Fokusi i EU4Green në këtë fushë është mbështetja e qasjes strategjike për të forcuar qendrueshmërinë e sistemeve bujqësore në Ballkanin Perëndimor nga njëra anë dhe këshillimi mbi përdorimin dhe ruajtjen e qëndrueshme të ujit në bujqësi nga ana tjetër. Duke adresuar pikën e parë, qasjet për Analizën e Statusit të Përshtatjes ndaj Ndryshimeve Klimatike në Bujqësi u prezantuan nga Grupi i Punës për Zhvillimin Rural Rajonal (SWG) në Evropën Juglindore. Ndërsa për pikën e dytë, pjesëmarrësit e workshopit diskutuan masat dhe një draft projekt për përdorimin dhe ruajtjen e qëndrueshme të ujit në bujqësi për shërbimet këshilluese bujqësore dhe sfidat e bujqësisë për shkak të ndryshimeve klimatike.
Seancat gjatë këtyre dy ditëve mundësuan diskutime të fokusuara mbi vendosjen e një qasjeje rajonale për Ballkanin Perëndimor, por duke marrë parasysh rrethanat kombëtare dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet niveleve të ndryshme të qeverisjes.
Kthimi i sfidave në mundësi
Sistemet e qëndrueshme të ushqimit dhe zonat rurale janë një temë kryesore e Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor. Ky plan gjithëpërfshirës kërkon të arrijë qëndrueshmërinë mjedisore dhe transformimin socio-ekonomik.
Projekti i EU4Green mbështet Ballkanin Perëndimor në tranzicionin drejt ekonomive të gjelbërta, moderne, me burime efikase dhe të qendrueshme ndaj kërcënimeve mjedisore. Financuar nga Bashkimi Evropian dhe qeveria austriake, projekti zbatohet nga Agjencia Austriake e Mjedisit në bashkëpunim me qeveritë, institucionet dhe Delegacionet e BE-së në Ballkanin Perëndimor, duke synuar një të ardhme të qëndrueshme në rajon.