LAJME

“Western Balkans GreenCast”, një seri podkastesh për një të ardhme më të gjelbër

Copyright: EU4Green

EU4Green ka kënaqësinë të njoftojë nisjen e një serie të podkasteve të titulluar “Western Balkans GreenCast”. Kjo seri ka për qëllim të eksplorojë çështjet kritike mjedisore dhe strategjitë e tranzicionit të gjelbër brenda Ballkanit Perëndimor dhe në të gjithë BE-në. Podkasti do të përfshijë intervista me ekspertë, studime të rasteve reale dhe diskutime të thelluara, me synimin për të frymëzuar dhe edukuar dëgjuesit për praktikat dhe zgjidhjet e qëndrueshme për një planet më të shëndetshëm.

Episodi i Parë: Një hulumtim në ruajtjen e ujit

Episodi I parë, i titulluar “Uji: Nevoja e Përditshme”, fokusohet në ruajtjen dhe mbrojtjen e ujit—një çështje kritike si për Ballkanin Perëndimor ashtu edhe për BE-në.

Në këtë episod janë të ftuar: Dragana Tomašević Pilipović, PhD, Profesore e Asociuar nga Universiteti i Novi Sadit dhe Harald Loishandl Weisz, ekspert në ndotjen e ujit, nga Agjencia e Mjedisit në Austri.

Ekspertët diskutojnë mbi ndotjen e ujit, rëndësinë e ruajtjes së burimeve ujore dhe strategjitë për të siguruar qëndrueshmërinë e ujit për brezat e ardhshëm. Biseda trajton keqkuptimin e zakonshëm që çështjet e burimeve ujore lidhen kryesisht me sasinë, duke anashkaluar rëndësinë kritike të cilësisë së ujit.

Sistemet e duhura të monitorimit, ndikimet e impianteve të trajtimit të ujërave të ndotura të vjetruara dhe sfidat e shkaktuara nga ndotja industriale dhe bujqësore janë tema kyçe. Në këtë podkast theksohet nevoja urgjente për bashkëpunim të gjerë rajonal dhe zbatimin efektiv të rregulloreve mjedisore.

Rreth Serisë së Podkasteve

“Western Balkans GreenCast” është një thirrje për veprim për një të ardhme më të gjelbër dhe të qëndrueshme. Ju ftojmë të na bashkoheni ndërsa eksplorojmë qëndrueshmërinë mjedisore dhe bashkëpunimin rajonal. Podkasti ka për synim rritjen e ndërgjegjësimit rreth Agjendës së Gjelbër dhe pasqyrimin e sfidave dhe mundësive mjedisore në Ballkanin Perëndimor.

Seritë përfshijnë kontribute nga një gamë e gjerë ekspertësh nga Austria dhe Ballkani Perëndimor, duke ofruar një platformë shkëmbimi idesh dhe strategjishe inovative të synuara për arritjen e një të ardhme më të gjelbër.