LAJME

Java e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kosovës*: Agjenda e Gjelbër në Kosovë – Një Perspektivë Lokale!

Copyright: European Union in Kosovo

Java e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kosovës hyri në ditën e saj të tretë me një fokus  mbi një nga çështjet më të nxehta të momentin: ndryshimet klimatike. Diskutimi i panelit me titull “Agjenda e Gjelbër në Kosovë – Një Perspektivë Lokale!” Bashkimi Evropian në Kosovë bashkoi liderë institucionalë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe ekspertë mjedisorë për të eksploruar strategjitë dhe sfidat lokale në përballimin e ndryshimeve klimatike. Diskutimi, i moderuar nga Laura Hohoff, Udhëheqëse e Projektit të programit rajonal EU4Green, theksoi si mundësitë ashtu edhe pengesat e rëndësishme me të cilat përballet rajoni.

Në zemër të diskutimit ishin ndotja e ujit dhe humbja e biodiversitetit, dy çështje kritike për Kosovën ndërsa ajo përballet me sfidat komplekse drejt Agjendës së Gjelbër. Siç theksoi znj. Hohoff, “Ndryshimi i klimës po ndodh. Ai nuk njeh kufij dhe ne duhet të përshtatemi, të bashkëpunojmë dhe të veprojmë tani.” Përmbytjet e fundit në Austri, Poloni, Republikën Çeke dhe Hungari — shkatërruese në shtrirjen e tyre — nxjerrin në pah urgjencën e këtyre përpjekjeve. “Këto ngjarje simbolizojnë natyrën ndërkufitare të çështjeve mjedisore,” vazhdoi ajo, duke theksuar se asnjë vend nuk mund t’i trajtojë këto probleme i vetëm.

Një nga përfundimet kryesore nga diskutimi ishte nevoja urgjente për të rritur kapacitetin e Kosovës për të zbatuar veprime mjedisore në terren. Ndërkohë që ekzistojnë strategji, mbetet një hendek i madh midis planifikimit dhe zbatimit, kryesisht për shkak të burimeve të kufizuara njerëzore dhe institucionale. Pa personel dhe ekspertizë të mjaftueshme, përpjekjet për të adresuar ndotjen e ujit dhe humbjen e biodiversitetit mund të mbeten thjesht teorike. Për më tepër, forcimi i udhëheqjes institucionale është thelbësor për arritjen e këtyre objektivave mjedisore.

Bashkëpunimi doli si një faktor kritik. Partneritetet e Austrisë midis autoriteteve lokale dhe fermerëve ofrojnë një model të suksesshëm për zbatimin e përpjekjeve për ruajtjen e natyrës. Në mënyrë të ngjashme, Kompania Rajonale e Ujësjellësit e Kosovës ka treguar ndikimin e përpjekjeve të koordinuara me institucionet publike dhe OJQ-të. Partneritete të tilla ndërsektoriale janë thelbësore për adresimin e sfidave mjedisore.

Vullneti politik është gjithashtu i pazëvendësueshëm. Ndërsa ekspertiza dhe mbështetja financiare janë të rëndësishme, udhëheqja duhet të përparësojë qëndrueshmërinë afatgjatë, edhe kur kjo bie ndesh me objektivat afatshkurtra ekonomike. Nevojiten zgjidhje të përshtatura dhe specifike për kontekstin, por pa një angazhim të fortë politik, përparimi do të ngecë.

Ndërsa Kosova vazhdon të ndjekë rrugën e saj drejt zhvillimit të qëndrueshëm, mësimet nga ky panel janë të qarta: suksesi varet jo vetëm nga ekspertiza teknike dhe mbështetja financiare, por edhe nga forca e partneriteteve dhe vendosmëria e liderëve politikë.

Në një botë ku ndryshimi i klimës nuk njeh kufij, bashkëpunimi në çdo nivel — nga fermerët lokalë deri te institucionet ndërkombëtare — do të jetë thelbësor për ndërtimin e një të ardhme të qëndrueshme. Diskutimi gjithashtu nxori në pah rëndësinë e përshtatjes së përpjekjeve të Kosovës me Agjendën e Gjelbër më të gjerë për Ballkanin Perëndimor, duke siguruar që rajoni të mbetet i përkushtuar ndaj objektivave të përbashkëta mjedisore.

*Ky përcaktim është pa paragjykim ndaj qëndrimeve mbi statusin dhe është në përputhje me Rezolutën 1244/1999 të KSOKB-së dhe Opinionin e GJND-së mbi shpalljen e pavarësisë së Kosovës.