Kërkesa për aftësitë e gjelbra
Copyright: Umweltbundesamt/B. Gröger
Në dritën e një seminari rajonal rreth Edukimit të Gjelbër, i cili u mbajt së fundi në Sarajevë, ekspertët e Umweltbundesamt (Agjencia Austriake e Mjedisit) Daniela Zanini-Freitag dhe Peter Tramberend dhanë informacion rreth planeve të EU4Green në lidhje me çështjen ndërsektoriale dhe rëndësinë e Edukimit të Gjelbër për Ballkanin Perëndimor dhe Evropën.
Daniela Zanini-Freitag: Filloi si një temë më e madhe disa vite më parë, kur Bashkimi Evropian theksoi nevojën për të investuar në rikualifikimin dhe aftësimin e njerëzve, me synimin për të gjeneruar ekspertizë për punët e gjelbra. BE synonte kryesisht sektorët e energjisë se rinovueshme, por më vonë u përhap në sektorë të ndryshëm. Ndërsa filloi me arsimin universitar në mendje kryesisht, me kalimin e kohës – me ndryshimin e kushteve dhe nevojave – fokusi u zhvendos në formimin profesional, si arsimi dhe ngritja e kapaciteteve të teknikëve diellorë.
Edukimi i gjelbër është një çështje ndërsektoriale, gjithashtu në EU4Green dhe në Axhendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor. Ne shohim nga reagimet në seminaret tona se përveç teknike; nevojiten aftësi transversale dhe meta-konjitive në të gjithë sektorët e tregut të punës. Një nga çështjet e mbështetura nga pjesëmarrësit ishte nevoja për trajnimin e operatorëve të Impiantit të Trajtimit të Ujërave të ndotura.
Synimi ynë në projekt është të ofrojmë portofol për të mësuarit gjatë gjithë jetës, ndoshta përmes mjetit të mikrokredencialeve si module mësimore të shkurtra, të grumbullueshme dhe fleksibël. Kjo i ndihmon ekonomitë e Ballkanit Perëndimor të gjenerojnë ekspertë të cilët nga ana e tyre mund të kontribuojnë dhe të vendosin hapat e nevojshëm në mbështetje të Axhendës së Gjelbër. Kjo do t’u mundësojë ekonomive të ndërtojnë sinergji me qasjet evropiane për mbrojtjen e qëndrueshme të mjedisit, si një përpjekje e përbashkët për të mbrojtur mjedisin dhe për të krijuar zgjidhje të qëndrueshme.
Daniela Zanini-Freitag: Duke ofruar njohuri, përvojë dhe modele praktike të mira nga Evropa, Austria dhe Rajoni dhe duke përfshirë partnerin tonë me përvojë WUS (World University Service), ne duam të bashkë-krijojmë rrugë të të mësuarit gjatë gjithë jetës në ekonomitë e Ballkanit Perëndimor , ndoshta përmes mikrokredencialeve dhe moduleve të trajnimit të personalizuara. Kjo i lejon njerëzit të kualifikohen për pozicione shumë të nevojshme në menaxhimin e ujërave të ndotura, ekonominë qarkulluese dhe shtylla të tjera të EU4Green. Në këtë mënyrë, peizazhi i tregut të punës mund të përmirësohet, por edhe më e rëndësishmja, ndërtohen kapacitetet e njerëzve në rajon për t’i përgatitur ata për një tranzicion afatgjatë drejt ekonomive më të gjelbra dhe mjedisit më të shëndetshëm, të gjitha si pjesë e integrimit të rajonit në BE-së.
Agjencia Austriake e Mjedisit ka njohuri mbi shtyllat tematike dhe organizata juaj luan një rol të rëndësishëm në projekt. Si kontribuon përvoja dhe njohuritë tuaja institucionale në realizimin e projektit EU4Green?
Peter Tramberend: Ndoshta avantazhi më i madh i Agjencisë Austriake të Mjedisit është pasuria e saj në ekspertë teknikë dhe fakti që mbulon një spektër shumë të gjerë temash të ndryshme. Kështu, AAM mund të mbulojë të gjitha temat në fushën e mjedisit dhe nga mbi 600 punonjës, rreth dy të tretat janë staf teknik dhe shkencor. Një tjetër plus i këtij institucioni ekspert austriak është se ka shumë staf të lartë, domethënë njerëz që kanë punuar për një kohë të gjatë atje dhe kanë përvojë të jashtëzakonshme dhe memorie institucionale. Në nivel ndërkombëtar jemi shumë aktiv. Deri në nëntor të këtij viti, Agjencia Austriake e Mjedisit ka zbatuar më shumë se 110 projekte të suksesshme binjakëzimi me vendet e anëtarësimit në BE, shtetet e reja anëtare dhe me disa vende të fqinjve Lindore (Gjeorgji, Ukrainë) dhe atyre Jugorë (Algjeri, Jordani, Marok, Egjipt). Përvoja jonë në trajnimin e qeverive, shoqatave, institucioneve të tjera etj. është e madhe, ndërkohë që ka edhe një përvojë të gjerë në punën në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Si organizatë, jemi shumë të lumtur që mund të marrim pjesë në EU4Green dhe të përdorim këtë përvojë rajonale për të përfituar sa më shumë nga ky projekt.
Cilin e shihni si potencialin më të madh në gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor, nëse shikoni zbatimin e EU4Green dhe GAWB?
Daniela Zanini-Freitag: Ne udhëtuam në Bosnje dhe Hercegovinë për këtë seminar të Green Education, ndërsa Peter ka udhëtuar gjithashtu nëpër rajon, duke vizituar Shqipërinë dhe Malin e Zi. Rajoni është mahnitës. Malet, lumenjtë dhe liqenet e Bosnjës janë magjepsëse. Natyra është mbresëlënëse. Por ka nevojë për kujdes. Turizmi i gjelbër është një mundësi e madhe, me kusht që burimet natyrore të mbrohen dhe mirëmbahen siç duhet, për të cilën nevojitet edhe edukim i gjelbër. Përqendrimi dhe investimi në të, mund të kontribuojë në prosperitetin e rajonit, zhvillimin e ekonomive, dhe si efekt anësor mund të tërheqë edhe më shumë të rinj që të qëndrojnë dhe të ndërtojnë jetë këtu, në vend që të kërkojnë mundësi jashtë vendit. Rajoni ka shumë më tepër mundësi dhe potenciale dhe duke njohur rëndësinë e tranzicionit të gjelbër dhe duke investuar përpjekjet në zbatimin e Axhendës së Gjelbër, ka mundësi që sektorë të ndryshëm të zhvillohen dhe të kenë sukses.