LAJME

Si pjesë e paketës së punës së EU4Green për Implemetimin e Direktivës së BE-së për Nitratet, tani janë në dispozicion një broshurë e re mbi Kodet e Praktikës së Mirë Bujqësore dhe një instrument shoqërues i Llogaritjes së Plehut Organik (Manure Calculator).

Qëllimi i kësaj broshure është të mbështesë fermerët në rritjen e efikasitetit të azotit duke mbyllur ciklet e azotit në fermë dhe duke parandaluar humbjet e azotit në mjedis. Duke zbatuar parimet e Direktivës së BE-së për Nitratet, fermerët mund të kursejnë azotin për prodhimin e kulturave bujqësore (ushqim për njerëz dhe kafshë), duke reduktuar në të njëjtën kohë humbjet në ajër dhe ujë.

Gjashtë elementet kryesore të Direktivës për Nitratet të trajtuara në broshurë përfshijnë:

  1. Periudhat kur aplikimi i plehut është i papërshtatshëm

  2. Aplikimi i plehut në dhera me pjerrësi të madhe

  3. Aplikimi i plehut në tokë të ngopur me ujë, të përmbytur, të ngrirë ose të mbuluar me dëborë

  4. Aplikimi i plehut pranë rrjedhave të ujit

  5. Kapaciteti dhe ndërtimi i dhomave të magazinimit për plehun e blegtorisë

  6. Procedurat për aplikimin e plehut, përfshirë shkallën e aplikimit dhe uniformitetin e shpërndarjes

Përveç kësaj, broshura përfshin tabela praktike me sasitë mesatare të ekskretimit të azotit sipas kategorisë së blegtorisë, si dhe udhëzime për llogaritjen e kapacitetit të magazinimit të plehut organik.

Grupi i synuar i këtij publikimi përfshin fermerët dhe këshilltarët bujqësorë të interesuar për përmirësimin e menaxhimit të lëndëve ushqyese dhe rritjen e qëndrueshmërisë dhe fitueshmërisë së fermës.

Ky produkt i zhvilluar bashkërisht u krijua dhe u prezantua gjatë Punëtorisë Rajonale të mbajtur më 24 qershor 2025 në Tiranë.