LAJME

Uji në Shqipëri nën presion: klima, ndotja dhe rruga drejt ujërave më të pastra

Copyright: Irida Haxhi

Tiranë, Korrik 2025 – Me lumenjtë e saj të ushqyer nga bora dhe vijën bregdetare mbresëlënëse të Adriatikut dhe Jonit, Shqipëria mund të duket si një vend i pasur me ujë. Por pas këtij imazhi qëndron një sfidë gjithnjë në rritje: menaxhimi i mungesës sezonale të ujit, përmirësimi i cilësisë së tij dhe garantimi i aksesit në ujë të pastër për njerëzit dhe ekosistemet.

Të dhënat e fundit nga Agjencia Evropiane e Mjedisit (EEA) tregojnë se Evropa po përballet me një krizë në rritje të burimeve ujore për shkak të thatësirës, përdorimit joefikas dhe ndotjes. Shqipëria nuk bën përjashtim. Edhe pse vendi merr reshje të konsiderueshme çdo vit, muajt e verës sjellin stres intensiv mbi furnizimin me ujë, veçanërisht për bujqësinë, prodhimin e energjisë dhe komunitetet bregdetare. Në korrik dhe gusht 2025, një valë të nxehti e zgjatur çoi temperaturat mbi 40°C, duke tharë lumenjtë, ulur kapacitetin e hidrocentraleve dhe detyruar ujitjen emergjente në zona bujqësore të rëndësishme si Lugina e Matit.

Pavarësisht se është ndër vendet me më shumë burime ujore për frymë në Evropë, shpërndarja e ujit në Shqipëri mbetet e pabarabartë. Ndryshimet sezonale, të kombinuara me infrastrukturë të vjetruar dhe planifikim urban të dobët, ushtrojnë presion mbi furnizimin dhe cilësinë e ujit.

Shqipëria përballet gjithashtu me sfida në ujërat e saj bregdetare. Sipas vlerësimeve të EEA-së, vetëm 16% e ujërave për larje në vitin 2024 u klasifikuan si “shkëlqyeshëm”, ndërsa mbi 22% u vlerësuan si “të dobët”, duke e renditur Shqipërinë në fund të listës evropiane për cilësinë e ujit detar. Këto rezultate vijnë kryesisht nga mungesa e trajtimit të ujërave të ndotura, ndotja e lumenjve dhe depozitimi i mbetjeve në det.

Çfarë po bën EU4Green për këtë?

Për të ndihmuar Shqipërinë dhe rajonin përballë këtyre sfidave, projekti i financuar nga BE EU4Green po punon drejtpërdrejt me autoritetet kombëtare dhe lokale për të përmirësuar cilësinë e ujit, forcuar sistemet e monitorimit dhe reduktuar ndotjen në burim.

Në kuadër të komponentit “Ndotja e ujit”, EU4Green ka:

  • Trajnuar profesionistë dhe inspektorë të ujit mbi praktikat e monitorimit të përputhshme me standardet e BE-së për lumenjtë, liqenet dhe zonat bregdetare
  • Mbështetur përmirësimin e sistemeve të trajtimit të ujërave të ndotura, përmes këshillimit të politikave dhe ekspertizës teknike në përputhje me Direktivën për Ujërat e Ndotura të BE-së
  • Organizuar workshope për ndotjen nga nitratet, për të ndihmuar në reduktimin e humbjeve të lëndëve ushqyese drejt lumenjve dhe ujërave nëntokësore
  • Lehtësuar shkëmbimet dypalëshe me vendet fqinje për të nxitur bashkëpunimin rajonal dhe shkëmbimin e njohurive

Këto veprime po kontribuojnë drejtpërdrejt në përafrimin e Shqipërisë me legjislacionin e ujit të BE-së dhe përmirësimin e praktikave të përditshme të menaxhimit. Më e rëndësishmja, ato ndihmojnë në mbrojtjen e biodiversitetit dhe shëndetit të njeriut , dy fusha veçanërisht të prekshme nga ndotja ose menaxhimi i dobët i ujit.

“Ndotja nuk ka të bëjë vetëm me infrastrukturë të zhvilluar – por me të dhëna, trajnime, ndryshim sjelljeje dhe bashkëpunim të mirë,” thotë Harald Loishandl-Weisz, ekspert i ujit në EU4Green. “Me mjetet e duhura dhe bashkëpunim të fortë, Shqipëria mund t’i sigurojë burimet e saj ujore si më të pastra dhe më të qëndrueshme në të ardhmen.”

 

Pse ka rëndësi, veçanërisht gjatë verës

Stina e verës e thekson si asnjëherë tjetër rëndësinë e ujit. Turizmi bregdetar mbështetet në plazhe të pastra. Bujqësia varet nga ujitja e parashikueshme. Qytetet kanë nevojë për furnizim të sigurt e të vazhdueshëm me ujë. Në të njëjtën kohë, temperaturat e larta, thatësira dhe rreziqet nga ndotja janë në kulm.

Prandaj EU4Green vazhdon të punojë me institucionet shqiptare që presioni sezonal të mos shndërrohet në degradim afatgjatë.

 

Përpara me hapa të sigurt

Shqipëria tashmë ka filluar lëvizjet e duhura, duke hartuar ligje të reja për ujin, përmirësuar rrjetet e monitorimit dhe duke u angazhuar për bashkëpunim rajonal. Me mbështetje të vazhdueshme dhe investime të duhura, vendi ka potencialin jo vetëm të mbrojë ujërat e veta, por edhe të shërbejë si shembull për menaxhimin e qëndrueshëm të ujit në Ballkanin Perëndimor.

Sepse në fund të fundit, çdo pikë ujë ka rëndësi!

 

📌 Mësoni më shumë mbi punën e EU4Green për ndotjen e ujit në Shqipëri dhe në rajon: https://eu4green.eu/topics/depollution-of-water